Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, i është drejtuar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë me një kërkesë zyrtare për nisjen e hetimit disiplinor ndaj gjyqtares së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, Eglantina Mikani.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, gjyqtarja ka kryer shkelje të rënda procedurale në shqyrtimin e një çështjeje penale ndaj një personi të akuzuar për veprën penale “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, e kryer në bashkëpunim.
Nga dokumentacioni i përcjellë rezulton se vendimi penal është shpallur më 14 dhjetor 2022, ndërsa vendimi i arsyetuar dhe dosja gjyqësore janë depozituar në sekretari vetëm më 7 mars 2024, me një vonesë prej 14 muajsh e 24 ditësh, në kundërshtim të plotë me afatet e parashikuara në Kodin e Procedurës Penale.
Sipas ministrit Lamallari, kjo vonesë e pajustifikuar ka sjellë pasoja konkrete juridike për të pandehurin, pasi vendimi ka marrë formë të prerë më 20 maj 2024, duke i hequr atij mundësinë për të përfituar nga amnistia e parashikuar në ligjin nr. 33/2024.
Në kërkesën drejtuar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë theksohet se veprimet e gjyqtares bien ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, të cilat detyrojnë gjyqtarët të zbardhin dhe arsyetojnë vendimet brenda afateve ligjore.
Ministri i Drejtësisë thekson se respektimi i afateve procedurale është thelbësor për garantimin e të drejtave të qytetarëve dhe për ruajtjen e besimit publik në sistemin e drejtësisë.
Ky është rasti i dytë që nga marrja e detyrës kur ministri Lamallari i drejtohet ILD-së për hetim disiplinor ndaj një gjyqtari. Më herët, në muajin dhjetor, ai kërkoi hetim edhe për gjyqtarin e Lezhës, Ilir Përdeda, i cili gjithashtu kishte vonuar për rreth një vit zbardhjen e një vendimi gjyqësor.
Ministria e Drejtësisë bën me dije se po ndjek edhe raste të tjera problematike në sistemin gjyqësor dhe do t’i adresojë ato në institucionet përkatëse, me qëllim forcimin e standardeve ligjore dhe funksionimin e shtetit të së drejtës.
