Një automjet në pronësi të gazetarit Sami Curri është përfshirë nga flakët gjatë natës në Bulqizë, në një ngjarje që po hetohet nga autoritetet dhe që dyshohet të ketë qenë e qëllimshme.
Sipas informacioneve paraprake, zjarri është konstatuar rreth orës 02:45, ndërsa mjeti ishte i parkuar pranë pallatit ku jeton gazetari. Banorët e zonës kanë njoftuar menjëherë zjarrfikëset, të cilat ndërhynë për të neutralizuar flakët. Megjithatë, automjeti është shkatërruar pothuajse plotësisht.
“Jam njoftuar rreth orës 3 pa një çerek të mëngjesit nga një komshi. Makina ishte e parkuar rreth 30 metra larg pallatit ku banoj me nënën time. Fatmirësisht nuk pati dëme në mjetet e tjera pranë”, u shpreh Curri.
Gazetari ka ngritur dyshime të forta se ngjarja është një akt i qëllimshëm, duke e lidhur atë me aktivitetin e tij profesional në terren.
“Kjo është e qëllimshme dhe synon të më japë një mesazh për punën që bëj. Por dua t’u them që nuk do të më frikësojnë. Gazetaria për mua është një mision dhe do të vazhdoj pavarësisht çdo presioni”, deklaroi ai.
Curri ka rreth një dekadë përvojë në gazetari dhe fokusohet kryesisht në çështje që lidhen me prokurimet publike, pushtetin vendor dhe sistemin e drejtësisë në qarkun Dibër.
Policia ka kryer veprimet e para hetimore dhe po punon për të zbardhur shkaqet e plota të zjarrit, ndërsa një nga pistat kryesore mbetet ajo e zjarrvënies së qëllimshme.
Ngjarja ka shkaktuar shqetësim në komunitet dhe rikthen në vëmendje çështjen e sigurisë së gazetarëve gjatë ushtrimit të detyrës së tyre.
