Detaje tronditëse kanë dalë nga dëshmia e autorit të dyshuar të sulmit me armë gjatë një eventi në Washington DC, ku ishte i pranishëm edhe presidenti amerikan Donald Trump.
Sipas burimeve hetimore dhe mediave ndërkombëtare, 31-vjeçari Cole Thomas Allen ka deklaruar pas arrestimit se kishte si qëllim të “qëllonte zyrtarë të administratës Trump”.
Ngjarja ndodhi në hotelin Washington Hilton, gjatë një eventi me rreth 2,500 të ftuar, ku përfshiheshin figura të larta politike dhe përfaqësues të administratës amerikane.
Sipas autoriteteve, i dyshuari ishte i armatosur me armë zjarri dhe mjete të tjera të rrezikshme, ndërsa tentoi të depërtonte në zonën e sigurisë përpara se të neutralizohej nga United States Secret Service.
Pas të shtënave, presidenti Trump dhe Zonja e Parë Melania Trump u evakuuan menjëherë, ndërsa të pranishmit u larguan në kushte sigurie.
Autoritetet amerikane bëjnë me dije se të dhënat e deritanishme tregojnë se autori ka vepruar i vetëm, ndërsa hetimet po vijojnë për të zbardhur motivet e plota dhe nëse sulmi ishte i planifikuar më herët.
I dyshuari ndodhet aktualisht në paraburgim dhe pritet të dalë para gjykatës në ditët në vijim, ndërsa çështja ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë në evente të nivelit të lartë në SHBA.
