Pas deklaratave të forta të babait të Selin, ka reaguar edhe miku i Mirit, Roland Hysi (Landi), i cili në një lidhje direkte televizive ka dalë në mbrojtje të tij, duke i cilësuar si të tepërta akuzat e bëra publikisht.
Hysi u shpreh se reagimi i babait të Selin, në vend që ta dëmtojë, i shkon në favor Mirit dhe theksoi se askush nuk ka të drejtë të hedhë baltë ndaj një personi apo familjeje.
“Reagimi është në favor të Mirit. Askush nuk mund të hedhë baltë ndaj askujt. As miqtë, as të afërmit dhe as familjarët nuk e kemi bërë kurrë një gjë të tillë,” u shpreh ai.
Sipas Landit, Miri nuk ka bërë asgjë që të kërkojë mbrojtje, duke nënvizuar se situata duhet parë edhe në kontekstin e formatit televiziv. Ai shtoi se për shkak të vëmendjes së madhe që ka programi, çdo deklaratë amplifikohet shumëfish.
“Po flitet për ndjenja, por nuk e besoj. Loja po, por ndjenjat janë diçka e tepërt,” tha ai.
Hysi theksoi gjithashtu se familja e Mirit, si në Shqipëri ashtu edhe jashtë vendit, është në mbështetje të tij dhe se ai nuk ka ndërmend të kundërpërgjigjet ndaj babait të Selin.
“Publiku mund të reagojë si të dojë, por familja është në krah të Mirit për atë që ai po bën,” shtoi ai.
Në fund, Landi foli edhe për ndikimin emocional që kanë pasur komentet publike tek familjarët, duke pranuar se, pavarësisht forcës dhe përvojës, situata nuk është e lehtë për t’u përballuar.
“Ne mundohemi ta mbajmë familjen jashtë kësaj historie, por është e pamundur të mos preken. Jemi njerëz. Ky është Big Brother, me gjithë kompleksitetin e tij. Miri nuk mund të kryqëzohet dhe as familja e tij,” përfundoi Hysi.
