Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance ka konfirmuar dështimin e bisedimeve mes Shtetet e Bashkuara dhe Iran, duke theksuar se Teherani nuk pranoi kushtet e vendosura nga Uashingtoni.
Në një deklaratë pas përfundimit të negociatave, Vance u shpreh se SHBA-të kishin hyrë në bisedime me fleksibilitet dhe mirëbesim, por palët nuk arritën të gjenin një pikë të përbashkët. “Thjesht nuk arritëm në një situatë ku iranianët do të pranonin kushtet tona,” tha ai.
Sipas tij, diskutimet zgjatën rreth 21 orë, duke treguar intensitetin dhe rëndësinë e përpjekjeve diplomatike. Megjithatë, përfundimi ishte negativ, pasi diferencat mbi çështjet kryesore mbetën të mëdha.
Vance theksoi se SHBA-të kanë vendosur tashmë “vijat e kuqe” dhe kanë paraqitur një propozim të qartë për Iranin. “Ne largohemi nga këtu me një propozim shumë të thjeshtë… kjo është oferta jonë përfundimtare dhe më e mirë,” u shpreh ai.
Deklarata e tij lë të hapur mundësinë që negociatat të vijojnë nëse Irani ndryshon qëndrim, por njëkohësisht sinjalizon se hapësira për kompromis është ngushtuar ndjeshëm.
Dështimi i këtyre bisedimeve vjen në një moment të tensionuar, me paralajmërime për masa të forta nga administrata amerikane dhe me rrezikun e përshkallëzimit të situatës në Lindjen e Mesme që mbetet i lartë.
