Censi i shpendëve dimërorë/ Shumëllojshmëri e lartë në liqenin e Pogradecit dhe Prespës

Data

Censi i shpendëve dimërorë po vijon në zonat liqenore të Shqipërisë, si pjesë e monitorimit kombëtar që zhvillohet çdo vit gjatë muajit janar. Procesi përfshin 34 zona liqenore në të gjithë vendin dhe synon vlerësimin e biodiversitetit, si dhe ndikimin e faktorëve mjedisorë në ekosistemet ujore.

Në Qarkun e Korçës, vëmendja kryesore është përqendruar në Liqenin e Prespës, ku censusi ka përfunduar, ndërsa monitorimi po vijon në Liqenin e Pogradecit. Sipas specialistëve të zonave të mbrojtura, në Liqenin e Pogradecit janë përcaktuar 10 pika të përhershme numërimi, ku po punojnë dy grupe monitorimi, një në zonën e Tushemishtit dhe tjetri në Lin.

Të dhënat paraprake tregojnë një numër më të lartë shpendësh krahasuar me vitet e mëparshme, çka sipas ekspertëve dëshmon për një ekosistem të qëndrueshëm dhe të shëndetshëm. Deri më tani, nuk janë vërejtur ndikime të ndjeshme nga aktiviteti njerëzor apo ndryshimet klimatike mbi popullatat e shpendëve ujorë.

Censi do të përfundojë brenda ditës dhe do të zhvillohet edhe në pjesën përkatëse të Liqenit të Ohrit, me qëllim shmangien e mbivendosjes së numrit të shpendëve dhe sigurimin e rezultateve sa më të sakta.

Nga vëzhgimet e deritanishme nuk është konstatuar prania e ndonjë specieje të re apo të rrallë. Shpendët më të shpeshtë në Liqenin e Pogradecit mbeten bajzat, lloje të ndryshme rosash dhe mjelmat, të cilat e përdorin këtë zonë si strehë dimërore.

Pjesë e këtij procesi monitorimi janë bërë edhe të rinjtë e qytetit të Pogradecit, të cilët kanë marrë pjesë për herë të parë në censusin e shpendëve dimërorë. Ata e kanë cilësuar përvojën si mjaft të vlefshme, duke theksuar se kanë mësuar për shumëllojshmërinë e madhe të shpendëve dhe rëndësinë e ruajtjes së natyrës.

Censi i shpendëve dimërorë mbetet një proces kyç për monitorimin e biodiversitetit dhe gjendjes së ekosistemeve liqenore. Të dhënat e mbledhura nga Prespa dhe Pogradeci do të shërbejnë si bazë për hartimin e politikave mbrojtëse dhe menaxhimin e qëndrueshëm të këtyre pasurive natyrore, ndërsa përfshirja e të rinjve ndihmon në rritjen e ndërgjegjësimit për mbrojtjen e mjedisit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related