Raportet më të fundit të sigurisë në Francë kanë ngritur alarmin për rritjen e ndikimit të rrjeteve kriminale shqiptare në trafikun e drogës. Sipas të dhënave të publikuara nga shërbimi statistikor i Ministrisë së Brendshme franceze, numri i të pandehurve për trafik droge është rritur ndjeshëm, ndërsa analizat tregojnë se një pjesë e madhe e këtij aktiviteti lidhet me grupe të strukturuara shqiptare.
Një nga rastet më të fundit është zbuluar në rajonin Pays de Gex, ku autoritetet franceze arrestuan tetë shtetas shqiptarë që operonin me një model të ri shpërndarjeje, të krahasuar me një “Uber të drogës”. Klientët porosisnin përmes rrjeteve sociale, ndërsa shpërndarësit lëviznin vazhdimisht me automjete të ndryshme për të shmangur zbulimin. Fitimet e këtij rrjeti vlerësohen deri në 1 milion euro.
Një tjetër hetim i madh në zonën Lyon–Villeurbanne zbuloi një rrjet të gjerë shpërndarjeje të kokainës dhe heroinës në disa rajone franceze. Sipas hetimeve, drejtimi i këtij aktiviteti kryhej nga Shqipëria, ku autoritetet vendase, në bashkëpunim me SPAK, arrestuan disa nga drejtuesit kryesorë.
Po ashtu, operacione të shumta në qytete si Rennes, Nice dhe Annecy kanë treguar se këto rrjete kanë aftësi të shtrihen në disa zona njëkohësisht, duke furnizuar tregje të ndryshme dhe duke përdorur Shqipërinë si bazë koordinimi. Në Annecy, që konsiderohet një pikë strategjike për shkak të afërsisë me Zvicrën, janë zhvilluar disa operacione që kanë çuar në sekuestrime droge dhe pasurish me vlerë miliona euro.
Një element tjetër shqetësues është përdorimi i porteve si Le Havre për hyrjen e kokainës nga Amerika Latine, si dhe përfshirja e rrjeteve shqiptare në pastrimin e parave në bashkëpunim me organizata mafioze italiane. Hetimet kanë zbuluar investime në prona luksi, automjete dhe kriptovaluta në Rivierën Franceze.
Autoritetet franceze kanë ngritur gjithashtu shqetësimin se një pjesë e anëtarëve të këtyre rrjeteve kanë hyrë në vend si kërkues azili, duke përdorur këtë status si mbulesë për aktivitet kriminal.
Sipas Europol, grupet kriminale shqiptare janë ndër kërcënimet kryesore në disa vende europiane, përfshirë Francën, Italinë dhe Belgjikën. Për këtë arsye, bashkëpunimi mes autoriteteve franceze dhe shqiptare është intensifikuar, por sfida mbetet e madhe.
Ekspertët theksojnë se goditjet ndaj këtyre rrjeteve janë të rëndësishme, por për të çrrënjosur fenomenin kërkohet një qasje më e gjerë, që përfshin jo vetëm ndjekjen penale, por edhe adresimin e burimeve dhe strukturave që i mbështesin këto aktivitete.
