Pas paralajmërimit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara për rrezik të mundshëm nga grupe të lidhura me Iranin, strukturat e Antiterrorit në Shqipëri kanë rritur nivelin e gatishmërisë dhe kanë intensifikuar masat e sigurisë në terren.
Burime nga institucionet bëjnë me dije se janë zhvilluar takime koordinuese me përfaqësues të ambasadave amerikane dhe izraelite, me qëllim vlerësimin e situatës dhe përgatitjen për çdo skenar të mundshëm.
Edhe pse një plan masash ekzistonte më herët, pas këtij paralajmërimi është shtuar ndjeshëm monitorimi dhe analiza e elementëve të rrezikut, veçanërisht në zonat me ndjeshmëri të lartë.
Në fokus janë objektet diplomatike, përfshirë ambasadat, si dhe kampi i muxhahedinëve në Manëz. Gjithashtu, vëmendje e shtuar po i kushtohet hapësirave publike si sheshet, qendrat tregtare dhe zonat me frekuentim të lartë.
Në kuadër të këtyre masave, pritet shtim i pranisë së forcave policore në terren, ndërsa pjesë e koordinimit është edhe Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH), i cili po bashkëpunon me Antiterrorin për të garantuar sigurinë.
Autoritetet theksojnë se masat janë parandaluese dhe synojnë rritjen e vigjilencës, ndërsa situata po ndiqet në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.
