Kërkesa për lirimin e 25 pasurive, gjykata vendos më 7 prill për Jamarbër Malltezi, SPAK kundërshton

Data

Gjykata e Posaçme pritet të vendosë më 7 prill mbi kërkesën e Jamarbër Malltezi dhe bashkëshortes së tij Argita Malltezi për lirimin e 25 pasurive të sekuestruara në kuadër të dosjes “Partizani”.

Gjatë seancës, përfaqësuesja e SPAK, prokurorja Enkeleda Millonai, kundërshtoi kërkesën duke deklaruar se Malltezi zotëron edhe prona të tjera që nuk janë sekuestruar dhe nuk ka paraqitur prova që të vërtetojnë mungesën e aftësisë paguese.

Sipas saj, fakti që llogaritë bankare rezultojnë bosh nuk është provë e mjaftueshme për të dëshmuar vështirësi financiare. “Ai nuk solli asnjë provë se i mungon aftësia paguese”, u shpreh Millonai në sallë.

Nga ana tjetër, mbrojtja e Malltezit argumentoi se sekuestrimi i zgjatur i pasurive po ndikon rëndë në situatën ekonomike dhe familjare të klientit të tyre. Avokati Klodian Skënderaj theksoi se është dorëzuar dokumentacion që tregon se llogaritë e tij janë zero.

Vetë Malltezi e cilësoi procesin ndaj tij si një “luftë klasash”.

Çështja lidhet me dosjen “Partizani”, ku është i përfshirë edhe Sali Berisha, i cili akuzohet për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë. Sipas akuzës, ai ka ndërmarrë vendime në kohën kur ishte kryeministër që kanë favorizuar përfitime për dhëndrin e tij.

Malltezi përballet me akuza për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa hetimet pretendojnë se ai ka përfituar rreth 5.4 milionë euro nga aktivitete ndërtimi të lidhura me këto vendime.

Në këtë çështje janë të përfshirë edhe persona dhe kompani të tjera, të cilët akuzohen për pastrim parash dhe bashkëpunim në skemën e dyshuar.

Vendimi i 7 prillit pritet të jetë një moment kyç për vijimin e procesit gjyqësor dhe fatin e pasurive të sekuestruara.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related