Një grup hakerësh që dyshohet se ka lidhje me Iranin ka pretenduar se ka arritur të depërtojë në emailet personale të drejtorit të FBI, Kash Patel, duke publikuar edhe materiale të ndryshme që lidhen me të.
Grupi, i identifikuar si “Handala Hack Team”, deklaroi në një faqe online se Patel është bërë pjesë e listës së personave të hakuar, duke publikuar disa dokumente dhe fotografi, përfshirë edhe atë që pretendohet të jetë CV-ja e tij.
Agjencia Reuters nuk ka arritur të verifikojë në mënyrë të pavarur vërtetësinë e materialeve të publikuara. Megjithatë, disa nga dokumentet e shqyrtuara duket se përmbajnë korrespondencë personale dhe profesionale, që daton nga viti 2010 deri në vitin 2019.
Një zyrtar i Departamentit të Drejtësisë ka konfirmuar se një ndërhyrje në email-in e Patel ka ndodhur, por pa dhënë detaje mbi përmasat apo natyrën e sulmit.
Ndërkohë, FBI nuk ka reaguar ende zyrtarisht për këtë incident, ndërsa edhe grupi i hakerëve nuk ka dhënë sqarime të mëtejshme mbi mënyrën e realizimit të sulmit.
Ky zhvillim shton shqetësimet për sigurinë kibernetike dhe për rrezikun e ndërhyrjeve të mundshme nga aktorë të lidhur me shtete në institucionet e sigurisë amerikane.
