Juria në SHBA shpall përgjegjëse Meta dhe Google për varësinë nga rrjetet sociale, Zuckerberg përballet me vendim historik

Data

 Një juri në Los Anxhelos ka marrë një vendim të paprecedentë, duke shpallur përgjegjëse kompanitë Meta dhe Google për krijimin e varësisë nga rrjetet sociale tek të rinjtë.

Vendimi erdhi pas një padie të ngritur nga një e re 20-vjeçare, e identifikuar si Kaley, e cila argumentoi se përdorimi i platformave sociale gjatë fëmijërisë i ka shkaktuar dëme në shëndetin mendor.

Pas një procesi gjyqësor që zgjati rreth pesë javë, juria vendosi se Meta mban 70% të përgjegjësisë për dëmet e shkaktuara, ndërsa YouTube, në pronësi të Google, 30%.

Gjatë gjyqit, u argumentua se kompanitë kanë ndërtuar qëllimisht platforma që nxisin varësinë, ndërsa mbrojtja e Metës kundërshtoi këtë pretendim, duke theksuar se problemet e paditëses nuk lidhen drejtpërdrejt me përdorimin e rrjeteve sociale.

Në seancë dëshmoi edhe Mark Zuckerberg, i cili mbrojti politikat e kompanisë, duke përmendur ndalimin e përdorimit të platformave për fëmijët nën 13 vjeç, megjithëse dokumentet e brendshme treguan se fëmijë më të vegjël kishin akses në këto rrjete.

Në një reagim zyrtar, Meta deklaroi se nuk pajtohet me vendimin dhe po shqyrton hapat e mëtejshëm ligjorë.

Ky vendim pritet të ketë ndikim të gjerë, pasi qindra çështje të ngjashme janë aktualisht në shqyrtim në gjykatat amerikane, duke rritur presionin ndaj kompanive të mëdha teknologjike për mënyrën se si operojnë platformat e tyre.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related