Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë të shtunën një mbledhje me grupin parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetin qeveritar. Takimi është planifikuar të nisë në orën 11:00 në Pallatin e Kongreseve.
Sipas agjendës së siguruar, mbledhja do të hapet nga kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, ndërsa më pas fjalën do ta marrë kryeministri Rama.
Në këtë takim është parashikuar edhe raportimi i drejtueses së Kadastrës, Lorena Goxhobelli, e cila do të japë sqarime mbi çështjet që lidhen me institucionin që drejton. Deputetët do të kenë mundësi të adresojnë pyetje dhe shqetësime të ngritura nga qytetarët.
Gjithashtu, një raportim do të mbahet nga bashkëkryetari i PS për reformën administrativo-territoriale, Arbjan Mazniku, ndërsa ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, do të prezantojë strategjinë e komunikimit.
Mbledhja pritet të përmbyllet me fjalën e kryeministrit Rama dhe kryetarit të grupit parlamentar, Taulant Balla, ku do të bëhet një përmbledhje e diskutimeve dhe prioriteteve të mëtejshme.
