Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka publikuar një video ku vë përballë dy qëndrime të ndryshme të kryeministrit Edi Rama lidhur me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Në videon e shpërndarë, Bardhi rikthen një deklaratë të Ramës të bërë në mars 2025, pak para zgjedhjeve, ku kryeministri premtonte se shqiptarët do të gëzonin të drejta të plota si qytetarë të BE-së, përfshirë edhe të drejtën për të votuar dhe për t’u përfaqësuar në Parlamentin Europian.
“Me pasaportën e BE-së, çdo shqiptar dhe shqiptare do të fitojë të drejtën të votojë, edhe për Parlamentin Europian,” – shprehej Rama në atë kohë.
Ndërkohë, sipas Bardhit, në një deklaratë të fundit, kryeministri ka mbajtur një qëndrim të ndryshëm, duke vënë në dyshim nevojën që Shqipëria të ketë menjëherë përfaqësues në Parlamentin Europian.
“Pse duhet ne patjetër që, që në momentin e parë, të kemi edhe deputetët tanë në Parlamentin Europian?” – është shprehur Rama në një konferencë për gazetarët.
Bardhi e cilëson këtë ndryshim si një tërheqje nga premtimet elektorale dhe akuzon kryeministrin për mashtrim të qytetarëve. Ai e ironizon Ramën duke i kujtuar shprehjen e tij “Noc Rrokun”, duke theksuar se, sipas tij, me këtë qeveri nuk mund të priten rezultate konkrete në procesin e integrimit europian.
Videoja e publikuar është pjesë e një serie reagimesh nga opozita, që synojnë të evidentojnë, sipas tyre, dështimet e qeverisë në rrugën drejt Bashkimit Europian.
