VOA: Mungesë investimesh nga qeveria për zhvillimin e turizmit në luginën e Drinit

Data

Zona veriore e Shqipërisë ofron pasuri të shumta natyrore për zhvillimin e turizmit, kryesisht atij malor. Një prej tyre është edhe Lugina e Drinit, e cila përshkolet mes Alpeve, ku gjatë dy-tre vitet e fundit kanë nisur aktivitetin në fushën e turizmit rreth 70 biznese, kryesisht nga banorët vendas. Por, siç njofton Zërit i Amerikës problem mbetet gjendja e rrugës automobilistike që shkon drejt Komanit dhe mbeturinat që derdhen në liqen.

Lugina e Drinit, me tre liqenet e saj dhe majat e Alpeve, ofron një potencial turistik që sa ka nisur të shfrytëzohet nga operatorët turistik privat, por edhe banorë të zonës, të cilët kanë hapur bujtinat dhe qendrat e para turistike për vizitorët vendas dhe të huaj.

Por, krahas tyre, në zonë janë shfaqur edhe problematikat e para, siç janë vështirësitë e udhëtimit dhe mbeturinat, të cilat shfaqen herëpashere mbi sipërfaqen e ujit, sidomos në Liqenin e Komanit.

Rruga e Komanit, me një gjatësi prej rreth 36 kilometrash, e cila nis nga qyteza e Laçit në Vau Dejës për të përfunduar në tunelin e Komanit, është një nga rrugët më të dëmtuara në Shqipëri, e cila nuk ofron siguri rrugore për dhjetëra automjete që lëvizin çdo ditë nëpër këtë aks të rëndësishëm rrugor duke transportuar banorë të zonës së Alpeve, por edhe turistë që shkojnë drejt pikave turistike si ajo e Lumit të Shalës, Valbonës si dhe qytetit Bajram Curri e deri në Gjakovë.

Shqetësimin për gjendjen e rrugës e kanë paraqitur disa herë përmes protestave banorët e zonës, operatorët turistik që veprojnë në Luginën e Drinit, por edhe organizatat joqeveritare.

Mirsad Basha i shoqatës “Eko Mendje” thotë se rruga e Komanit nuk është vetëm një rrugë e keqe, por ajo është me rrezikshmëri të lartë për jetën për shkak të shumë kthesave, humnerave, erozionit.

“Ndaj, duhet një vëmendje më e madhe për atë zonë. Megjithëse janë organizuar shumë protesta nga shoqëria civile dhe nga operatorët turistik të zonës, situata nuk ka ndryshuar”, thotë ai.

Kryetari i Bashkisë “Vau Dejës”, Kristian Shkreli, thotë ndërkohë se rruga ka degraduar plotësisht për shkak të automjeteve të tonazhit të rëndë që punojnë për nevojat e hidrocentralit të Komanit, por edhe numrit të lartë të automjeteve që shkojnë drejt pikave turistike të zonës.

“Është një rrugë ku prej 30 vitesh askush nuk ka vënë dorë dhe për këtë shkak ka ardhur edhe degradimi i saj. Por, ne si bashki nuk e kemi në ngarkim, pasi kjo rrugë është në inventarin e ARSH-së. Edhe po të ishte e Bashkisë Vau Dejës ne do ta kishim të pamundur investimin në atë rrugë, sepse është një investim shumë i madh. Por, kryeministri na ka premtu që, shumë shpejt, do të nisin punimet për rrugën Vau Dejës-Koman”, thotë ai.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related