Kriza globale e energjisë, e nxitur nga përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme, ka nisur të japë efektet e para konkrete në Europë, ku Sllovenia është bërë vendi i parë i Bashkimit Evropian që ka vendosur racionimin e karburantit.
Vendimi vjen pas rritjes së fortë të çmimeve të derivateve dhe tensioneve në tregjet ndërkombëtare, të shkaktuara nga sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit dhe kundërpërgjigjja e këtij të fundit në rajonin e Gjirit Persik.
Sipas masave të reja, drejtuesit privatë në Slloveni do të mund të furnizohen me maksimumi 50 litra karburant në ditë, ndërsa bizneset dhe fermerët do të kenë një kufi më të lartë, deri në 200 litra.
Situata është përkeqësuar edhe nga fenomeni i “turizmit të karburantit”, ku shoferë nga vendet fqinje, veçanërisht nga Austria, kanë kaluar kufirin për të furnizuar automjetet me çmime më të ulëta.
Ndërkohë, disa kompani kanë vendosur kufizime edhe më të rrepta. Gjiganti hungarez i energjisë MOL ka aplikuar një limit prej 30 litrash për klientët në stacionet e tij.
Pavarësisht kufizimeve, kryeministri slloven Robert Golob ka siguruar se nuk ka mungesë reale karburanti në vend dhe se depot janë të mbushura. Sipas tij, masat synojnë vetëm të parandalojnë abuzimet dhe të ruajnë stabilitetin e furnizimit.
Kufizimet do të zbatohen drejtpërdrejt nga pikat e karburantit, ndërsa punonjësit do të kenë përgjegjësinë të kontrollojnë sasinë që furnizohet për çdo klient.
Ky zhvillim shihet si një sinjal alarmi për Europën, pasi përshkallëzimi i krizës energjetike mund të detyrojë edhe vende të tjera të ndjekin të njëjtën rrugë nëse tensionet globale vazhdojnë.
