Ndërtuesit në rrethe kërkojnë uljen e taksës së infrastrukturës nga 8% në 3%, paralajmërojnë rritje çmimesh për apartamentet në Fier, Durrës, Vlorë dhe Shkodër

Data

Rritja e taksës së ndikimit në infrastrukturë në nivelin 8% po shkakton shqetësim te ndërtuesit në disa nga qytetet kryesore të vendit, të cilët paralajmërojnë se kjo barrë fiskale mund të përkthehet në rritje të çmimeve të apartamenteve.

Aktualisht, kjo taksë aplikohet jo vetëm në Tiranë, por edhe në Durrës, Vlorë, Fier dhe Shkodër, duke rritur ndjeshëm kostot për investitorët në sektorin e ndërtimit.

Në Fier, ndërtuesit kanë propozuar uljen e taksës në 3%, ndërsa Bashkia ka njoftuar se konsultimet për këtë çështje do të nisin më 2 prill. Sipas përfaqësuesve të sektorit, niveli aktual prej 8% është i papërshtatshëm për tregun lokal, ku çmimet e shitjes janë shumë më të ulëta se në kryeqytet.

Nënkryetari i Këshillit Bashkiak në Fier, Arben Çuko, thekson se një apartament në këtë qytet shitet deri në 900 euro/m², ndërsa në Tiranë çmimet arrijnë deri në 3000 euro/m². Kjo diferencë, sipas tij, e bën taksën aktuale disproporcionale dhe të rëndë për ndërtuesit në rrethe.

Për një çmim prej 900 euro/m², taksa 8% përkthehet në rreth 72 euro për metër katror, ndërsa me nivelin 3% do të zbriste në 27 euro. Edhe sipas çmimeve të referencës, barra fiskale mbetet e konsiderueshme dhe ndikon drejtpërdrejt në kostot finale.

Ndërtuesit paralajmërojnë se, nëse zhbllokohet dhënia e lejeve të ndërtimit – e cila në Fier ka qenë e bllokuar për rreth 12 vite – rritja e çmimeve të apartamenteve do të jetë e pashmangshme.

Kjo lidhet jo vetëm me taksën e lartë, por edhe me shtrenjtimin e ndjeshëm të kostove të ndërtimit. Sipas tyre, çmimet e punimeve dhe materialeve janë rritur ndjeshëm: nga pllakat, te suvatimi, materialet elektrike dhe hidrosanitare, si dhe paga e fuqisë punëtore, që tashmë arrin deri në 5000 lekë në ditë.

Ndërkohë, të dhënat tregojnë se kjo taksë po sjell të ardhura në rritje për bashkitë. Në vitin 2024, ajo gjeneroi rreth 18.5 miliardë lekë në nivel kombëtar, ku mbi gjysmën e tyre e përthithi Tirana.

Megjithatë, në rrethe pesha mbetet më e ulët, duke shtuar debatet mbi nevojën për një qasje më të diferencuar fiskale, që të mos frenojë investimet dhe të mos rrisë më tej çmimet për qytetarët.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related