Gazetari Fatos Mahmutaj ka bërë deklarata të forta në lidhje me përplasjet brenda Partisë Demokratike, duke akuzuar kreun e saj Sali Berisha për përdorim të presionit dhe mesazheve kërcënuese ndaj kundërshtarëve politikë.
I ftuar në një emision televiziv, Mahmutaj u shpreh se Berisha “nuk njeh gjuhë tjetër përveç linçimit dhe sulmit”, ndërsa shtoi se sipas tij, mënyra e të bërit politikë nga lideri i PD-së lidhet me presionin dhe intimidimin.
Duke komentuar situatën e Ervin Salianji, i cili ka shpallur kandidaturën për kryetar të PD-së, gazetari tha se ish-deputeti është paralajmëruar të tërhiqet nga gara. Sipas tij, mesazhi i dhënë është i qartë dhe përmban edhe elementë kërcënimi.
“Berisha gjithmonë çon mesazhe të kuptueshme. Edhe Salianjit i është dërguar një mesazh: hiqu nga rruga dhe vazhdo jetën, përndryshe mund të përballet me pasoja si të tjerët më parë,” u shpreh Mahmutaj.
Ai shtoi gjithashtu se, sipas tij, Partia Demokratike mbetet e kontrolluar plotësisht nga Berisha dhe nuk funksionon si një parti me garë të hapur.
“PD është pronë e doktorit dhe nuk e lëshon,” deklaroi gazetari, duke theksuar se përplasjet e brendshme janë tregues i mungesës së demokracisë së brendshme në parti.
Deklaratat vijnë në një moment tensionesh të larta brenda opozitës, ndërsa gara për drejtimin e Partisë Demokratike pritet të zhvillohet në muajin maj.
