Tensionet mes SHBA-së dhe Iranit duket se kanë hyrë në një fazë të re, mes sinjaleve për zbutje dhe rrezikut të përshkallëzimit ushtarak.
Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar shtyrjen me pesë ditë të çdo sulmi të mundshëm ndaj infrastrukturës energjetike iraniane, duke hapur një dritare të re për negociata diplomatike.
Në një deklaratë publike, Trump i cilësoi bisedimet e zhvilluara gjatë dy ditëve të fundit si “shumë të mira dhe produktive”, duke shtuar se palët janë pranë një marrëveshjeje të mundshme për uljen e armiqësive në rajon.
Sipas raportimeve ndërkombëtare, tre vende kanë luajtur rol kyç në ndërmjetësimin e këtyre kontakteve: Turqia, Egjipti dhe Pakistani. Këto shtete kanë zhvilluar takime të ndara si me përfaqësues amerikanë, ashtu edhe me zyrtarë të lartë iranianë, në përpjekje për të ulur tensionet.
Nga ana tjetër, diplomacia iraniane ka sinjalizuar gatishmëri për iniciativa që synojnë de-eskalimin e situatës, por ka theksuar se SHBA duhet të jetë pjesë direkte e negociatave, duke qenë se konsiderohet si pala që nisi konfliktin.
Trump bëri të ditur gjithashtu se i dërguari i tij special dhe bashkëpunëtorë të afërt kanë zhvilluar kontakte të drejtpërdrejta me një zyrtar të rëndësishëm iranian dhe se bisedimet do të vijojnë edhe në ditët në vijim.
Vendimi për shtyrjen e sulmeve vjen vetëm pak orë para një afati të vendosur nga vetë Trump, i cili kishte paralajmëruar goditje ndaj termocentraleve iraniane nëse Teherani nuk do të lejonte lirinë e plotë të lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
Megjithatë, deklaratat e fundit tregojnë se, pavarësisht retorikës së fortë, ekziston një mundësi reale për marrëveshje diplomatike, duke e vendosur rajonin në një moment kritik mes luftës dhe paqes.
