Partia Socialiste ka abstenuar masivisht në Kuvend ndaj amendamentit të propozuar nga deputeti Erion Braçe, i cili synonte ta kategorizonte si vepër penale shitjen dhe ofrimin e produkteve të duhanit për të miturit nën moshën 18 vjeç.
Amendamenti parashikonte që, pas marrjes së masave administrative, shkelja të konsiderohej vepër penale, me gjobë nga 100 mijë deri në 300 mijë lekë ose burgim deri në 6 muaj. Po ashtu, propozimi përfshinte dënime më të rënda në rastet kur shitja e duhanit shkaktonte dëmtime serioze shëndetësore apo humbje jete të të miturve, me burgim nga 4 deri në 16 vjet.
Gjatë debatit, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, kërkoi shtyrjen e votimit, duke argumentuar se paketa e ndryshimeve në Kodin Penal është negociuar gërmë për gërmë me Komisionin Europian dhe çdo ndryshim shtesë kërkon konsultime të mëtejshme.
“Nuk kemi asnjë dyshim për mbështetjen e kësaj nisme, por nuk është serioze të miratojmë sot për nesër ndryshime që nuk janë dakordësuar me Komisionin Europian”, u shpreh Balla.
Në fund, amendamenti i Braçes u rrëzua praktikisht përmes abstenimit: vetëm 2 vota pro, 82 abstenime dhe asnjë votë kundër. Në shenjë proteste, deputeti Erion Braçe nuk mori pjesë në votimin e dy projektligjeve të tjera të rëndësishme të seancës, duke i “kthyer reston” mazhorancës.
Qëndrimi i PS-së ka ngjallur reagime, pasi amendamenti synonte forcimin e mbrojtjes ligjore për shëndetin e të miturve, ndërkohë që Shqipëria vazhdon të përballet me nivele të larta të konsumit të duhanit tek të rinjtë.
