Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, gjatë një takimi me intelektualë në Tiranë, ka ngritur shqetësime për funksionimin e demokracisë dhe jetës politike në vend.
Në fjalën e tij, Salianji theksoi se mungesa e respektimit të rregullave brenda partive politike po cenon drejtpërdrejt demokracinë, duke shtuar se politika duket sikur synon të dekurajojë pjesëmarrjen e qytetarëve dhe intelektualëve në proceset vendimmarrëse.
“Pa parti që u nënshtrohen rregullave nuk kemi demokraci. Politika duket sikur ka qëllim të dekurajojë pjesëmarrjen dhe jo ta nxisë atë”, u shpreh ai.
Salianji vuri theksin edhe te mungesa e zgjedhjeve reale, si brenda partive kryesore, ashtu edhe për qytetarët në përzgjedhjen e përfaqësuesve të tyre.
“Sot kemi mungesë zgjedhjesh reale si në PS, ashtu edhe në PD. Në fakt, përfaqësuesit zgjidhen më shumë nga krerët e partive sesa nga qytetarët”, deklaroi ai.
Ai kritikoi gjithashtu mungesën e një debati të mirëfilltë mbi çështje thelbësore si ekonomia dhe administrata publike, duke theksuar se zërat kritikë shpesh trajtohen si të pazakontë.
Në fund, Salianji u ndal edhe te roli i SPAK, duke e vlerësuar si një institucion që ka hapur rrugën për një pjesëmarrje të re politike përmes goditjes së korrupsionit në nivele të larta, pavarësisht presioneve që, sipas tij, po i bëhen nga palë të ndryshme politike.
