Detaje tronditëse nga tragjedia në Vjenë: punëtorët u varrosën nën beton të freskët, ndërhyrja e vështirë dhe nxjerrja e viktimave pas orësh kërkimi

Data

Detaje të reja dhe tronditëse kanë dalë nga tragjedia e rëndë në Vjenë, ku katër punëtorë humbën jetën pasi u bllokuan nën rrënoja dhe beton të freskët në një kantier ndërtimi në zonën e Alsergrundit.

Sipas mediave austriake, aksidenti ndodhi gjatë punimeve në rrugën Porzellangasse, kur skela dhe struktura mbajtëse u shembën papritur, duke i zënë poshtë punëtorët. Tre prej viktimave ishin shqiptarë nga Kosova, ndërsa një tjetër ishte shtetas boshnjak.

Operacioni i shpëtimit u përball me vështirësi ekstreme. Betoni i pangurtësuar, i cili mbuloi trupat e punëtorëve, u detyroi ekipet e emergjencës të punonin në kushte shumë të rrezikshme, duke e larguar atë edhe me duar për të arritur tek viktimat.

Rreth 120 efektivë të zjarrfikësve dhe mbrojtjes civile, me dhjetëra mjete, u angazhuan në operacion, ndërsa terreni i ngushtë e bëri edhe më të vështirë ndërhyrjen. Fillimisht u hapën hyrje të reja në zonë duke hequr gardhe dhe struktura të tjera, për të krijuar akses drejt vendit ku ndodheshin të bllokuarit.

Gjatë kërkimeve u përdorën edhe qen shpëtimi për të lokalizuar viktimat nën rrënoja. Dy punëtorë u nxorën të parët, por fatkeqësisht pa shenja jete. Pas heqjes së mëtejshme të strukturave dhe betonit që po ngurtësohej, ekipet arritën të nxjerrin edhe dy viktimat e tjera, gjithashtu të pajeta, rreth dy orë e gjysmë pas nisjes së operacionit.

Një tjetër punëtor, që dyshohet të jetë nga Maqedonia e Veriut, mbeti i plagosur rëndë dhe ndodhet në spital në gjendje kritike.

Ndërkohë, Ambasada e Kosovës në Austri ka konfirmuar identitetin e tre viktimave nga Kosova dhe ka shprehur ngushëllime për familjarët, duke theksuar se është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet austriake për ndjekjen e çështjes.

Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe ka ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë në kantieret e ndërtimit, ndërsa hetimet për shkaqet e aksidentit vijojnë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related