Ligji i ri për Aksesueshmërinë dhe Plani Kombëtar 2026–2030 për PAK, Sala: Angazhim konkret për barazi, përfshirje dhe jetë të pavarur

Data

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, ka prezantuar prioritetet e reja të qeverisë për personat me aftësi të kufizuara, duke vënë në qendër Ligjin e ri për Aksesueshmërinë dhe Planin Kombëtar të Veprimit 2026–2030.

Gjatë një takimi me Këshillin Kombëtar të Personave me Aftësi të Kufizuar, ministrja theksoi se këto dy dokumente përfaqësojnë një hap të rëndësishëm drejt garantimit të të drejtave dhe përmirësimit të cilësisë së jetës për këtë kategori, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.

Sala nënvizoi se ligji i ri nuk është thjesht një akt formal, por një angazhim për të siguruar akses real në shërbime, infrastrukturë, teknologji dhe jetën publike, duke vendosur standarde të qarta dhe mekanizma monitorimi për zbatimin e tij.

Ajo theksoi se suksesi i këtij ligji kërkon bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve qendrore, pushtetit vendor, biznesit dhe shoqërisë civile, për të garantuar zbatim efektiv në praktikë.

Sa i përket Planit Kombëtar 2026–2030, ministrja u shpreh se ai synon të kalojë nga garantimi formal i të drejtave në zbatimin e tyre konkret në jetën e përditshme, duke u fokusuar në jetesën e pavarur, përfshirjen në arsim, punësim, drejtësi dhe vendimmarrje.

Një nga elementët e theksuar ishte edhe përfshirja politike e personave me aftësi të kufizuara, ku u vlerësua përdorimi i fletës së votimit në alfabetin Braille si një hap konkret drejt garantimit të votimit të pavarur për personat që nuk shohin.

Në takim, anëtarët e këshillit paraqitën gjithashtu propozime dhe rekomandime për përmirësimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor dhe zbatimin efektiv të tij, me synimin që askush të mos mbetet pas në një shoqëri gjithëpërfshirëse.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related