Partia Demokratike ka reaguar ashpër pas largimit nga puna të gazetarit Ilir Babaramo, duke e cilësuar këtë si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias në vend.
Në një deklaratë publike, zëdhënësja e PD-së Floriana Garo akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe botuesin Carlo Bollino se kanë ushtruar presion politik për largimin e gazetarit.
Sipas opozitës, vendimi nuk lidhet me arsye profesionale, por me qëndrimet kritike të Babaramos ndaj qeverisë. PD pretendon se gazetarit i është komunikuar drejtpërdrejt se nuk mund të vazhdojë të punojë në televizion për shkak të kritikave ndaj pushtetit.
Demokratët rikujtojnë edhe një episod të mëparshëm, kur Rama u largua nga një intervistë në studion e Babaramos, duke e cilësuar këtë si fillimin e një serie presionesh ndaj gazetarit.
Në reagim, PD thekson se ky rast është një sinjal alarmi për gjithë komunitetin mediatik, duke paralajmëruar për një klimë ku, sipas saj, kritika ndaj qeverisë ndëshkohet.
Partia Demokratike i ka bërë thirrje organizatave vendase dhe ndërkombëtare të reagojnë, duke theksuar se liria e shprehjes dhe e medias nuk duhet të cenohet në një shoqëri demokratike.
