Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka deklaruar se Teherani nuk e ka mbyllur Ngushticën e Hormuzit dhe nuk po pengon lundrimin në këtë rrugë strategjike të transportit të energjisë.
Në një reagim publik, ai theksoi se ngadalësimi i prodhimit dhe transportit të naftës nuk lidhet me veprimet e Iranit, por me sulmet që, sipas tij, janë kryer nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.
“Prodhimi dhe transporti i naftës është ngadalësuar ose ndaluar jo për shkakun tonë, por për shkak të sulmeve dhe agresionit izraelit dhe amerikan kundër nesh”, u shpreh Araghchi.
Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga korridoret më të rëndësishme për tregtinë globale të naftës, pasi përmes saj kalon një pjesë e madhe e furnizimeve energjetike që shkojnë drejt tregjeve ndërkombëtare.
Deklarata e ministrit iranian vjen në një moment tensionesh të larta në rajonin e Lindjes së Mesme, ku përplasjet dhe sulmet e fundit kanë rritur shqetësimet për sigurinë e transportit të energjisë dhe stabilitetin e tregjeve globale.
