Berisha thirrje për protestë më 12 mars: E gjithë Shqipëria para Parlamentit kundër mbrojtjes së Ballukut nga PS

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj vendimit të mazhorancës socialiste për të mos lejuar arrestimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po sfidon drejtësinë dhe Kushtetutën.

Gjatë një konference për mediat, Berisha deklaroi se me këtë vendim Rama, sipas tij, ka treguar se Balluku është e paprekshme dhe se drejtësia nuk po lejohet të veprojë normalisht.

Lideri i opozitës e cilësoi këtë situatë si një goditje ndaj institucioneve të drejtësisë dhe shtetit ligjor, duke akuzuar qeverinë për përfshirje në afera të mëdha korruptive. Ai përmendi mes të tjerash inceneratorin e Tiranës, koncesionet në sektorin e shëndetësisë dhe projekte infrastrukturore që, sipas tij, janë realizuar me kosto shumë më të larta se në vendet e Bashkimit Europian.

Berisha tha gjithashtu se Parlamenti është i kontrolluar nga qeveria dhe se drejtësia po pengohet të veprojë, duke shtuar se reagimi qytetar mbetet mënyra e vetme për të kundërshtuar këtë situatë.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë në protestën e opozitës që do të zhvillohet më 12 mars para Parlamentit, të cilën e cilësoi si një “kryengritje paqësore” për mbrojtjen e shtetit ligjor.

Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve, Berisha u shpreh se nëse pushteti ekzekutiv refuzon vendimet e drejtësisë, atëherë qytetarët, si sovranë, kanë të drejtë të reagojnë. Ai shtoi gjithashtu se opozita ka qenë në komunikim me partnerët ndërkombëtarë për situatën politike në vend.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related