Dy shtetas shqiptarë janë dënuar me 14 muaj burg pasi kthyen një ish-dyqan veshjesh të personalizuara në një fabrikë kanabisi me tre kate në qendër të qytetit Portsmouth, në Britani.
Bëhet fjalë për Hasan Dauti (32 vjeç) dhe Emiljano Shehi (40 vjeç), të cilët u arrestuan pasi policia zbuloi rreth 300 bimë kanabisi, me një vlerë të përllogaritur prej 160 mijë paundësh.
Të dy u shpallën fajtorë për kultivim të lëndëve narkotike dhe hyrje të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa u dënuan nga gjykata lokale. Pas përfundimit të dënimit, ata do t’u dorëzohen shërbimeve të imigracionit për procedurat e dëbimit.
Zbulimi i fabrikës së drogës ndodhi pasi punonjës të kompanisë së energjisë shkuan për të ndërprerë furnizimin në ndërtesën e braktisur dhe vunë re erë të fortë kanabisi, duke njoftuar menjëherë policinë.
Autoritetet thanë se fabrika përbënte rrezik serioz zjarri, për shkak të ndërhyrjeve të paligjshme në rrjetin elektrik dhe pajisjeve të improvizuara të përdorura për kultivim.
Policia theksoi se operacione të tilla do të vijojnë, duke paralajmëruar se prodhimi dhe shpërndarja e drogës do të goditen pa tolerancë.
