Kryeministri Edi Rama ka komentuar për agjencinë ndërkombëtare Associated Press situatën e krijuar nga protestat që po zhvillohen prej ditësh në Shqipëri, duke kundërshtuar pretendimet e ngritura nga kundërshtarët e projektit që ka nxitur reagime të forta publike.
Sipas AP, protestat janë zgjeruar në Tiranë dhe në disa qytete të tjera, ndërsa mbështetje kanë shprehur edhe komunitete shqiptare në vende të ndryshme të Europës dhe Amerikës së Veriut. Demonstruesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit dhe kundërshtojnë projektin që konsiderohet si shkëndija e revoltës qytetare.
Në intervistën e tij, Rama deklaroi se një pjesë e kritikave ndaj qeverisë dhe projektit po ushqehen nga dezinformimi dhe interpretimet e shtrembëruara të fakteve. Ai theksoi se shumë prej pretendimeve që qarkullojnë në rrjetet sociale dhe media përmbajnë, sipas tij, “gjysmë të vërteta” që shndërrohen në narrativa të rreme.
“Ka shumë manipulime. Ka shumë gjysmë të vërteta që bëhen gënjeshtra gjithnjë e më të mëdha çdo orë”, është shprehur Rama për Associated Press.
Kreu i qeverisë përmendi gjithashtu atë që e cilësoi si një fushatë të vazhdueshme kibernetike kundër Shqipërisë, duke aluduar se reagimet negative po amplifikohen edhe nga ndërhyrje të jashtme. Ai përmendi Iranin, të cilin autoritetet shqiptare e kanë akuzuar më parë për mbështetje të sulmeve kibernetike ndaj institucioneve shqiptare, akuza që Teherani i ka mohuar vazhdimisht.
Ndërkohë, qeveria vijon të mbrojë projektin e debatueshëm, duke argumentuar se ai mund të sjellë zhvillim ekonomik dhe turistik për vendin, ndërsa kundërshtarët e tij kërkojnë më shumë transparencë dhe garanci për mbrojtjen e mjedisit. Protestat pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa debati mbetet në qendër të vëmendjes publike dhe politike.
