Pasiguria në tregjet ndërkombëtare dhe tensionet në Lindjen e Mesme kanë filluar të ndikojnë drejtpërdrejt edhe në ekonominë shqiptare, veçanërisht në sektorin e ndërtimit.
Sipas Drejtorit Ekzekutiv të Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, Erjon Harizi, rritja e çmimeve të lëndëve të para ka nisur të reflektohet në koston e projekteve të ndërtimit, ndërsa paralajmërohet se çmimi i hekurit mund të rritet deri në 40%.
Ai theksoi se fillimisht ndikimi është ndjerë tek karburantet, ku çmimi i naftës është rritur rreth 15-20% brenda dy javëve të fundit. Rritje kanë pësuar gjithashtu edhe materialet e tjera të ndërtimit, si duralumini dhe plastikat, të cilat janë shtrenjtuar nga 5 deri në 8%.
Një nga elementët kryesorë në sektorin e ndërtimit, hekuri, ka shënuar një rritje rreth 5% çdo javë gjatë dy javëve të fundit, duke krijuar parashikime se në një periudhë të shkurtër çmimi i tij mund të arrijë deri në 40% më shumë se niveli aktual.
Sipas përfaqësuesve të industrisë, rritja e kostos së materialeve ndikon drejtpërdrejt në çmimin për metër katror të ndërtimit, duke bërë të pashmangshme edhe rritjen e çmimeve të apartamenteve në tregun imobiliar.
Ndërtuesit paralajmërojnë se nëse kjo tendencë vazhdon, tregu i banesave mund të përballet me një valë të re shtrenjtimi, ndërsa mbetet për t’u parë nëse balanca mes kërkesës dhe ofertës do të arrijë të stabilizojë çmimet në muajt e ardhshëm.
