Kryeprokurori i ri i Prokurorisë së Posaçme, Klodjan Braho, nis zyrtarisht punën duke thirrur për nesër në orën 08:30 mbledhjen e parë me trupën e prokurorëve të SPAK-ut.
Burime bëjnë me dije se kjo është mbledhja e parë pas prezantimit të Brahos në krye të institucionit dhe pritet që ai t’u drejtohet prokurorëve me një mesazh të qartë mbi vijën e punës, prioritetet hetimore dhe mënyrën e funksionimit në vijim.
Në këtë takim, Braho pritet të vendosë theksin te forcimi i hetimeve ndaj korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, si dhe te koordinimi i brendshëm mes prokurorëve për çështjet sensitive që janë në proces.
Klodjan Braho pason në këtë detyrë Altin Dumanin, i cili drejtoi SPAK-un për tre vite me radhë, një periudhë e shënuar nga hetime të forta dhe çështje me impakt të lartë publik. Ndryshimi në krye të institucionit shihet si një moment kyç për vijimësinë e punës së SPAK-ut dhe pritshmëritë janë të larta për drejtimin e ri.
