Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për Flodian Plakun dhe ish-shefin e krimeve në Vlorë, Rezart Kuçi.
Vendimi vjen pas operacionit të zhvilluar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe Policinë e Shtetit, për zbardhjen e dy atentateve të ndodhura në vitin 2021 në qytetin e Vlorës.
Hetimet lidhen me vrasjen e Gentjan Qarrit më 6 shkurt dhe ekzekutimin e Bledar Birçajt më 10 mars të po atij viti. Sipas SPAK, pas këtyre ngjarjeve dyshohet të qëndrojë një grup kriminal i lidhur me Inez Hajrullën, një emër i njohur për autoritetet dhe i konsideruar si figurë me ndikim në botën e krimit në Vlorë.
Në kuadër të operacionit janë zhvilluar kontrolle në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, ku janë ekzekutuar disa nga urdhër-arrestet e lëshuara nga gjykata për anëtarët e dyshuar të këtij grupi kriminal.
Mes tetë urdhër-arresteve ishte edhe ai për Rezart Kuçin, i cili më parë ka shërbyer si shef i sektorit të krimeve në Vlorë. Ai akuzohet për “shpërdorim detyre”, “trafik të lëndëve narkotike” dhe “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.
Sipas SPAK, Kuçi dyshohet se ka përdorur funksionin e tij si oficer policie për të ndihmuar aktivitetin kriminal, duke siguruar mbështetje logjistike për transportin e lëndëve narkotike, duke nxjerrë informacione konfidenciale për kontrollet policore dhe duke ndërhyrë në pajisje celulare për fshirjen e të dhënave me interes për hetimin.
Ai dyshohet gjithashtu se ka përdorur në mënyrë të paligjshme sistemin TIMS dhe komunikim të koduar përmes aplikacionit SKYECC. Vetëm një vit më parë, Kuçi ishte vlerësuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit me një certifikatë për “Shërbime të Dalluara”.
Ndër personat për të cilët janë lëshuar urdhër-arreste janë edhe Inez Hajrulla, Ervis Matodashaj, Mendu Duka, Arben Memishaj dhe Argest Xhezani, të cilët janë shpallur në kërkim, ndërsa Hamëz Demushi është arrestuar në Zvicër.
