Sekretariati i Etikës përjashton Bardhin dhe Balliun nga Kuvendi, ndërsa Balla nuk ndëshkohet

Data

Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën në Kuvend ka vendosur të përjashtojë me nga 10 ditë deputetët e Partisë Demokratike Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu, pas përplasjeve dhe fyerjeve të ndodhura në seancën plenare të 5 marsit.

Si pasojë e këtij vendimi, Bardhi dhe Balliu nuk do të marrin pjesë në seancën plenare të 12 marsit, ku do të votohet mbi raportet për kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Përjashtimi lidhet me debatet e ashpra në Kuvend, të cilat nisën pasi kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, iu drejtua deputetes së PD-së Albana Vokshi me një koment që përfshinte numrin “0900”. Pas kësaj, reagimi i Bardhit çoi në përplasje të mëtejshme në sallë.

Megjithatë, Sekretariati i Etikës vendosi të mos marrë masë disiplinore ndaj Taulant Ballës, edhe pse opozita kishte kërkuar përjashtimin e tij për 60 ditë.

Në seancën e 12 marsit pritet të mungojë edhe deputeti Agron Shehaj, i cili është përjashtuar me 20 ditë nga Byroja e Kuvendit për një tjetër incident parlamentar.

Sekretariati i Etikës përbëhet nga tre deputetë të mazhorancës dhe dy të opozitës, ndërsa vendimet merren me shumicë votash. Debatet dhe tensionet e ndodhura në seancën e fundit kanë dominuar diskutimin publik në vend gjatë ditëve të fundit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related