Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Lisandër Hoxha, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit politike që lidhen me kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Gjatë një interviste në një studio televizive, Hoxha theksoi se Shqipëria ka nevojë për një ndarje të qartë të pushteteve dhe se ndërhyrja e kryeministrit Edi Rama në një çështje që lidhet me hetimet e prokurorisë përbën një goditje ndaj pavarësisë së drejtësisë.
Sipas tij, ndërhyrja e kreut të qeverisë mes vendimeve të prokurorisë dhe gjykatës është një veprim që cenon funksionimin e shtetit ligjor dhe përbën një atentat ndaj Republikës.
“Republika e Shqipërisë ka nevojë për ndarje pushtetesh. Në momentin kur pushtetet nuk ndahen dhe kryeministri hyn mes vendimit të prokurorisë dhe gjykatës, këtu i është bërë atentat Republikës. Kjo është një goditje e rëndë për interesat e Shqipërisë dhe për të ardhmen e saj në Bashkimin Evropian,” u shpreh Hoxha.
Ai shtoi se çështja ndaj Ballukut është një çështje penale dhe nuk duhet të trajtohet si përplasje politike, duke theksuar se kryeministri nuk mund të vlerësojë provat e paraqitura nga prokuroria.
Hoxha deklaroi gjithashtu se nuk do të ishte i surprizuar nëse në të ardhmen drejtësia do të kërkonte edhe arrestimin e kryeministrit Rama, në kuadër të reformës në drejtësi.
Sipas tij, faktori ndërkombëtar, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, ka vendosur një vijë të kuqe për funksionimin e drejtësisë në Shqipëri dhe nuk do të lejojë dështimin e reformës në drejtësi.
Në fund, përfaqësuesi i opozitës paralajmëroi se opozita do të intensifikojë reagimin në terren përmes protestave, duke e cilësuar situatën si një betejë për rikthimin e vendit në rrugën e shtetit ligjor.
