Më 15 prill, sheshi “Skënderbej” në zemër të Tiranës u mbush me qindra nxënës të shkollave 9-vjeçare të kryeqytetit dhe telajot e tyre në një aktivitet të titulluar “Europa në sytë e fëmijëve” – pjesë e programit “Art, Zeje, Sport” të Ministrisë së Arsimit.
Me ngjyra të ndezura mbi kanavacë, nxënësit pikturuan vizionin e tyre për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian. Por ka një problem; aktiviteti u zhvillua përgjatë fushatës për zgjedhjet e 11 majit dhe yjet e shfaqjes ishin kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu – të dy drejtues të lartë të fushatës elektorale të Partisë Socialiste.
Aktivitete të ngjashme u zhvilluan më pas në Durrës, Berat, Vlorë, Elbasan, Shkodër e Fier, duke u bërë pjesë e kalendarit të fushatës së kryeministrit Edi Rama në këto qytete – edhe pse zyrtarisht, Ministria e Arsimit deklaroi se pikturat e fëmijëve po bëheshin në funksion të Samitit të Komunitetit Politik Evropian, i cili do të mbahet më 16 maj në Tiranë.
Videot me fëmijët dhe pikturat e tyre shumëngjyrëshe u postuan gjithashtu në faqet e kryeministrit Rama dhe ministres Manastirliu në rrjetet sociale si dhe amplifikuan nga ndërveprimi i faqeve zyrtare të dhjetra shkollave, zyrave arsimore si dhe degët e Partisë Socialiste në qytete të ndryshme, duke gjeneruar qindra pëlqime, komente dhe shpërndarje në rrjetet sociale.
