Gjykata e Apelit me Juridiksion të Përgjithshëm në Tiranë ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për gazetarin Eljo Laze, duke rrëzuar kërkesën e tij për zëvendësimin e kësaj mase me një më të lehtë.
Laze do të vijojë të qëndrojë në paraburgim, pas vendimit të Apelit që konfirmoi vendimin e mëparshëm të Gjykatës Penale të Tiranës.
Gazetari u arrestua rreth një muaj më parë me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, pas një kallëzimi të bërë nga një zyrtar i Inspektoratit Shëndetësor Shtetëror (ISHSH).
Sipas denoncimit, Laze, i cili është pronar i portalit “Priza.al”, dyshohet se i ka bërë shantazh zyrtarit përmes publikimit të disa lajmeve kundër tij në periudha të ndryshme kohore. Sipas akuzës, gazetari i kishte kërkuar 20 mijë euro në këmbim të fshirjes së këtyre artikujve nga portali.
Prokuroria vijon hetimet për këtë çështje, ndërsa gazetari do të qëndrojë në paraburgim deri në një vendim tjetër të gjykatës.
