Pas vrasjes së udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Khamenei, në fillim të luftës mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, sistemi politik iranian ka hyrë në fazën më të paqartë dhe më të tensionuar të dekadave të fundit.
Megjithëse posti i udhëheqësit suprem iu kalua Mojtaba Khamenei, ekspertët ndërkombëtarë vlerësojnë se pushteti real në Iran nuk ndodhet më në duart e një personi të vetëm. Vendimmarrja në Teheran po dominohet gjithnjë e më shumë nga Islamic Revolutionary Guard Corps (IRGC), e njohur si Garda Revolucionare Islamike.
Mojtaba Khamenei, 56 vjeç, konsiderohet një figurë e diskutueshme për postin më të lartë të Republikës Islamike. Ai nuk ka mbajtur më parë poste publike dhe emërimi i tij është kritikuar nga shumë qarqe konservatore dhe reformiste, të cilat e kanë cilësuar si një përpjekje për trashëgimi familjare brenda sistemit islamik iranian.
Pozitat e tij janë dobësuar edhe më shumë pas plagosjes gjatë sulmeve ajrore që i morën jetën të atit. Që prej marrjes së detyrës, ai është shfaqur shumë pak në publik, duke rritur spekulimet mbi gjendjen e tij shëndetësore dhe aftësinë reale për të kontrolluar aparatin shtetëror.
Në këtë vakuum pushteti, Garda Revolucionare ka marrë rol dominues. Pas eliminimit të komandantit të saj, Mohammad Pakpour, drejtimin e IRGC-së e mori Ahmad Vahidi, ish-ministër i Brendshëm dhe i Mbrojtjes.
Ekspertët besojnë se IRGC tashmë kontrollon jo vetëm sigurinë dhe ushtrinë, por edhe pjesë të mëdha të ekonomisë, diplomacisë dhe politikës së brendshme të Iranit. Militarizimi i shtetit është përshpejtuar pas luftës dhe shumë analistë e përshkruajnë sistemin aktual si “Republika Islamike 3.0”.
Një tjetër figurë me ndikim të madh në prapaskenë është Hossein Taeb, ish-shefi i inteligjencës së Gardës Revolucionare dhe një nga njerëzit më besnikë të familjes Khamenei. Ai konsiderohet si koordinatori kryesor mes fraksioneve të ndryshme të sistemit dhe strukturave të sigurisë.
Ndërkohë, Mohammad Bagher Ghalibaf, kryetar i parlamentit iranian dhe ish-komandant ushtarak, është kthyer në një nga figurat më të rëndësishme politike të tranzicionit. Ai po luan rolin e ndërmjetësit mes Gardës Revolucionare, establishmentit fetar dhe liderit të ri suprem.
Në anën tjetër, presidenti reformist Masoud Pezeshkian dhe ministri i Jashtëm Abbas Araghchi kanë mbetur me rol kryesisht administrativ dhe diplomatik, pa ndikim të madh në vendimet strategjike.
Analistët paralajmërojnë se Irani po hyn në një periudhë të rrezikshme tranzicioni, ku pushteti po shpërndahet mes elitës ushtarake, aparatit të sigurisë dhe figurave të afërta me familjen Khamenei. Kjo situatë mund të sjellë jo vetëm përplasje të brendshme politike, por edhe një politikë më agresive të Iranit në rajon.
