Detaje të reja kanë dalë nga operacioni i zhvilluar nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) në qytetin e Vlorës, ku u godit një grup kriminal i dyshuar i drejtuar nga Inez Hajrulla.
Sipas hetimeve, SPAK ka zbardhur rolin e disa personave të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale, përfshirë atentatin ndaj biznesmenit Bledar Bircaj, i cili u ekzekutua në Vlorë më 10 maj 2021.
Prokuroria ka lëshuar urdhër-arreste për Inez Hajrullën dhe bashkëpunëtorin e tij të afërt Ervis Matodashaj, të cilët dyshohet se kanë pasur rol në organizimin e atentatit.
Hetimet janë mbështetur edhe në analizën e komunikimeve të zbërthyera nga aplikacioni i koduar Sky ECC, përmes të cilit autoritetet kanë mbledhur prova që lidhen me planifikimin e sulmit.
Sipas SPAK, Hajrulla dhe Matodashaj dyshohet se kanë krijuar kushtet për realizimin e atentatit ndaj Bircajt, ndërsa hetimet vijojnë për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë në planifikimin dhe ekzekutimin e krimit.
Në kuadër të këtij operacioni janë lëshuar gjithsej tetë urdhër-arreste për anëtarë të dyshuar të grupit kriminal.
Mes tyre janë:
- Inez Hajrulla, për vrasjen e Gentian Qarrit
- Ervis Matodashaj, për vrasjen e Gentian Qarrit
- Flodian Plaku, i njohur si “Pole Qorri”, për trafik droge
- Hamëz Demushi, ish-punonjës policie, për trafik droge
- Argest Xheza, për trafik droge
- Arben Memishaj, për trafik droge
- Mendu Duka, për trafik droge
- Rezart Kuçi, për trafik droge
SPAK bëri të ditur se hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht aktivitetin e këtij grupi kriminal dhe për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në ngjarjet e rënda kriminale në Vlorë.
