Deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido, ka reaguar pas ngjarjes së ndodhur disa ditë më parë në një gjimnaz të Delvinës, ku një nxënës u godit me armë të ftohtë nga një bashkëmoshatar.
Në një reagim publik, Bido kritikoi përdorimin e kësaj ngjarjeje nga disa politikanë për debate politike, duke theksuar se fëmijët nuk duhet të shfrytëzohen për qëllime të politikës së ditës.
“Fëmijët e Delvinës nuk janë material për politikën e ditës”, u shpreh deputeti, duke shtuar se disa deputetë që kanë komentuar ngjarjen nuk kanë lidhje me qytetin dhe nuk e njohin realitetin e tij.
Sipas tij, pas incidentit institucionet kanë vepruar menjëherë për trajtimin e situatës dhe për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Bido bëri të ditur se agresori është proceduar nga Komisariati i Policisë së Delvinës për përdorimin e armëve të ftohta, ndërsa shkolla ka mbledhur komisionin e etikës dhe më pas komisionin disiplinor për të trajtuar rastin.
Ai shtoi se Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar ka ndërmarrë masa administrative, duke pezulluar drejtuesit e shkollës deri në përfundimin e hetimeve dhe marrjen e masave përkatëse.
Deputeti theksoi gjithashtu se autoritetet lokale dhe bashkia kanë qenë pranë familjes së nxënësit të lënduar, duke ofruar mbështetje dhe ndihmë.
Në reagimin e tij, Bido vlerësoi edhe qëndrimin e nxënësve që protestuan pas ngjarjes, duke e cilësuar atë si një tregues të karakterit dhe reagimit qytetar të të rinjve në Delvinë.
