Kryetari i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, ka marrë pjesë në protestën e organizuar para Kuvendit në mbështetje të banorëve të Rrjollit, të cilët kundërshtojnë ndërtimin e një resorti në tokat e tyre.
Në fjalën e tij gjatë tubimit, Shehaj u shpreh se ajo që po ndodh në Rrjoll është një shembull i rezistencës së qytetarëve për mbrojtjen e pronës private.
Sipas tij, edhe pse jemi në vitin 2026, problemi i pronës vazhdon të mbetet një plagë e hapur për shumë qytetarë shqiptarë.
“Jemi në 2026 dhe prona vazhdon të vidhet. Sot po u vidhet prona edhe atyre që kanë certifikata pronësie. Partia ‘Mundësia’ është në krah të qytetarëve që luftojnë për të mbrojtur pronën e tyre”, u shpreh Shehaj.
Ai akuzoi gjithashtu politikën se nuk i mbështet qytetarët në këtë përballje, duke theksuar se shpesh interesat e politikanëve janë të lidhura me projektet turistike.
“Nuk ka resort në jugun e Shqipërisë që të mos ketë politikanë apo ministra me nga një vilë”, deklaroi ai.
Shehaj shtoi se protesta e banorëve të Rrjollit po kthehet në një simbol të rezistencës qytetare dhe se, sipas tij, ata po shkruajnë historinë e protestave në mbrojtje të pronës në Shqipëri.
“Ajo që po ndodh në Rrjoll tregon se shqiptarët e kanë shpirtin e protestës. Po bëjnë historinë e protestave në Rrjoll dhe do t’ia dalin”, përfundoi ai.
