Këlliçi: Rama e shkarkoi Spiropalin pas takimeve në SHBA dhe lidhjeve ndërkombëtare

Data

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka komentuar zhvillimet e fundit politike dhe shkarkimin e Elisa Spiropali nga qeveria, duke pretenduar se vendimi është marrë personalisht nga kryeministri Edi Rama.

I ftuar në një emision televiziv, Këlliçi tha se shkarkimi i Spiropalit nuk ishte një rikonfigurim rutinë i kabinetit, por një eliminim politik i lidhur me aktivitetin e saj në arenën ndërkombëtare.

Sipas tij, Spiropali kishte zhvilluar takime në Shtetet e Bashkuara, ku ishte pritur në Departamentin e Shtetit dhe në Shtëpinë e Bardhë, gjë që sipas Këlliçit ka alarmuar kryeministrin.

Ai përmendi gjithashtu anëtarësimin e Spiropalit në “China Club” në Berlin, një forum që, sipas tij, ka ndikim në marrëdhëniet politike dhe lobimet me Bundestagun gjerman.

“Muajin e kaluar kanë qenë dy politikanë të Partisë Socialiste që janë pritur në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe në Shtëpinë e Bardhë. Elisa Spiropali tashmë është e papunë dhe e larguar nga kabineti qeveritar nga Edi Rama”, u shpreh Këlliçi.

Deputeti demokrat theksoi se vendimmarrja për shkarkimin nuk lidhet me figura të tjera të qeverisë, por është marrë drejtpërdrejt nga Rama.

Ai komentoi edhe deklaratën e Spiropalit në Kuvend, e cila tha se largimi i saj ishte paralajmëruar më herët nga Sali Berisha.

Sipas Këlliçit, paralajmërimi i Berishës erdhi pas takimit të Spiropalit në Shtëpinë e Bardhë, duke shtuar se kjo ishte një nga arsyet kryesore që çoi në largimin e saj nga qeveria.

Në fund, Këlliçi kritikoi edhe ndryshimet e propozuara në rregulloren e Kuvendit, duke i cilësuar ato si përpjekje të mazhorancës për të kufizuar hapësirat e opozitës dhe për të reduktuar kohën e debatit parlamentar.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related