Banorët e Rrjollit kanë protestuar sot para Parlamentit të Shqipërisë, duke kundërshtuar ndërtimin e një resorti turistik në zonën e tyre, për të cilin pretendojnë se po u merret prona në mënyrë të padrejtë.
Protesta u zhvillua ndërsa brenda sallës së Kuvendit po mbahej seanca plenare. Banorët kërkuan ndërhyrjen e institucioneve për të ndaluar projektin që, sipas tyre, po realizohet mbi tokat e tyre të trashëguara.
Prej kohësh ata janë kundër ndërtimit të resortit nga kompania “Gener 2”, duke pretenduar se projekti po zhvillohet në pronat e tyre.
Gjatë protestës, qytetarët mbanin pankarta me mesazhe si: “Sot te prona ime, nesër te prona jote”, “Rrjoll, zëri i qytetarëve kërkon drejtësi”, “Stop grabitjes së pronës private” dhe “Politikanë, zbatoni nenet 41 dhe 181 të Kushtetutës”.
Banorët kërkojnë që shteti të respektojë të drejtën e pronës dhe të ndërhyjë për të zgjidhur konfliktin që, sipas tyre, ka zgjatur prej kohësh.
Më herët, në Rrjoll janë shënuar edhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të Policisë së Shtetit, si dhe me punonjës të një kompanie private sigurie, të cilët kishin tentuar shpërndarjen e protestës.
