Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ka kritikuar ashpër mazhorancën gjatë fjalës së tij në Kuvend, duke e akuzuar qeverinë se po cenon demokracinë dhe po përpiqet të kufizojë debatin parlamentar përmes ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendit.
Sipas tij, demokracitë shpesh nuk rrëzohen nga armiqtë e jashtëm, por dëmtohen nga korrupsioni, privilegjet dhe frika brenda vetë sistemit.
Gjekmarkaj u ndal edhe te riformatimi i fundit i qeverisë, të cilin e cilësoi si një proces “tragji-komik”, duke thënë se kabineti aktual dominohet nga figura pa individualitet dhe pa personalitet politik.
Ai kritikoi gjithashtu propozimet për ndryshimin e rregullores së Kuvendit, duke theksuar se reduktimi i kohës së fjalës së deputetëve nga 10 në 5 minuta dhe zhvendosja e raportimeve të institucioneve nga seanca plenare në komisione të mbyllura cenon transparencën dhe kontrollin parlamentar.
Sipas tij, këto ndryshime synojnë të dobësojnë opozitën dhe të kufizojnë hapësirën për debat në Parlament.
Në mënyrë ironike, deputeti demokrat përmendi edhe disa “propozime simbolike” për rregulloren, duke thënë se deputetët duhet të ngrihen në këmbë kur hyn qeveria në sallë, të bien daulle kur vjen kryeministri dhe të duartrokasin gjatë kur ai flet.
Në fund të fjalës së tij, Gjekmarkaj paralajmëroi për rrezikun e përqendrimit të pushtetit dhe theksoi se dobësimi i opozitës dëmton pluralizmin dhe demokracinë.
Ai shtoi se opozita dhe qytetarët janë, sipas tij, garancia kryesore për ruajtjen e lirive dhe për të penguar përqendrimin e pushtetit në vend.
