Autoritetet në Kosovë kanë ngritur alarmin për përkeqësimin e motit, pasi rënia e temperaturave nën zero gradë dhe reshjet e borës pritet të sjellin ngrica dhe vështirësi serioze në qarkullim.
Instituti Hidrometeorologjik paralajmëron se gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit temperaturat do të zbresin ndjeshëm, duke krijuar kushte për ngrica në rrugë, ura dhe trotuare. Era e fortë dhe reshjet e borës do ta përkeqësojnë më tej situatën, veçanërisht në zonat malore.
Policia u ka bërë thirrje drejtuesve të mjeteve që të tregojnë kujdes maksimal, të ulin shpejtësinë, të mbajnë distancë sigurie dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme, sidomos gjatë natës.
Kryeministri në detyrë ka apeluar qytetarët që të mos udhëtojnë nëse nuk e kanë të domosdoshme, duke theksuar se kontrasti i madh i temperaturave rrit ndjeshëm rrezikun e aksidenteve.
Paralajmërimet vijnë pas përmbytjeve të ditëve të fundit, të cilat shkaktuan dëme në infrastrukturë, bllokim rrugësh dhe probleme me furnizimin me ujë të pijshëm, ndërsa për shkak të situatës mësimi është shtyrë për disa ditë.
