Komisioni i Ligjeve miraton projektligjin për amnistinë penale, 380 të dënuar përfitojnë lirim

Data

Komisioni i Ligjeve ka miratuar në parim projektligjin për amnistinë penale me 9 vota pro, duke i hapur rrugën shqyrtimit dhe votimit të tij në seancë plenare, e cila pritet të zhvillohet më 18 qershor.

Gjatë mbledhjes, votën pro e dha edhe deputeti i opozitës Arjan Ndoja, i cili ishte i vetmi përfaqësues i opozitës i pranishëm në diskutime.

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi se projektligji parashikon përfitime për një numër të konsiderueshëm personash që vuajnë dënimin. Sipas tij, rreth 380 persona do të përfitojnë lirim të plotë, ndërsa afro 900 të dënuar do të përfitojnë ulje të dënimit.

Ministri sqaroi se amnistia nuk do të zbatohet për personat e dënuar për korrupsion, krim të organizuar dhe vepra penale që lidhen me juridiksionin e institucioneve të posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ndër kategoritë që përfitojnë nga projektligji përfshihen:

  • Burrat e dënuar me deri në 3 vite burg ose atyre që u kanë mbetur më pak se 3 vite për të vuajtur.
  • Gratë e dënuara me deri në 4 vite burg ose atyre që u kanë mbetur më pak se 4 vite dënim.
  • Burrat mbi 60 vjeç.
  • Gratë mbi 50 vjeç.

Sipas parashikimeve të projektligjit, këto kategori do të përfitojnë lirim të menjëhershëm, nëse plotësojnë kushtet e përcaktuara në ligj.

Pas miratimit në Komisionin e Ligjeve, projektligji do t’i nënshtrohet debatit dhe votimit në Kuvend, ku do të kërkohet miratimi përfundimtar për hyrjen e tij në fuqi.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related