Një grabitje me armë është regjistruar pak më parë në zonën e “5 Majit” në Tiranë, ku një pikë këmbimi valutor është grabitur nga një person i armatosur.
Sipas informacioneve paraprake, autori ka hyrë brenda pikës së këmbimit valutor dhe nën kërcënimin e armës ka marrë një shumë parash.
Pas grabitjes, ai është larguar me shpejtësi nga vendngjarja, ndërsa shuma e parave të marra ende nuk është bërë e ditur.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë, të cilat kanë nisur hetimet dhe po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit.
