Tregtarët e tregut maqedonas në Korçë protestuan këtë të premte përpara Bashkia Korçë, duke kundërshtuar vendimin për zëvendësimin e tendave ekzistuese të dyqaneve me një model të ri të unifikuar.
Sipas tregtarëve, Policia Bashkiake i ka njoftuar se deri më 19 maj duhet të heqin tendat aktuale dhe të vendosin tenda të kuqe sipas projektit të miratuar nga bashkia.
“Na kanë thënë që duhet t’i heqim çfarë kemi jashtë, do të vendosin tenda të kuqe sepse ka ardhur urdhri nga lart. Ne duam që të na sqarojnë. Unë paguaj qiranë, sigurimet, taksat dhe nuk na mbetet asgjë”, u shpreh një tregtare.
Protestuesit thanë se nuk janë kundër përmirësimit estetik të tregut, por kundërshtojnë kostot që, sipas tyre, po u ngarkohen bizneseve të vogla në një periudhë të vështirë ekonomike.
“Ne nuk kemi lekë për t’i vendosur këto tenda. Mezi po nxjerrim bukën e gojës. Bashkia, nëse ka të ardhura, le t’i bëjë vetë. Na thonë që do na vendosin gjoba”, deklaroi një tjetër tregtar.
Ata pretendojnë gjithashtu se prej muajsh po përballen me vendime të ndryshme dhe kontradiktore lidhur me organizimin e tregut dhe vendosjen e mallrave jashtë ambienteve tregtare.
“Jam tregtar prej 20 vitesh. Nëse bashkia do t’i paguajë me fondet e veta, jemi dakord. Na kanë lënë afat deri më 19 maj. Çdo muaj merren vendime të reja”, tha një prej protestuesve.
Tregtarët kërkojnë nga Bashkia Korçë një takim sqarues dhe një zgjidhje që të mos rëndojë financiarisht bizneset e vogla të zonës.
Kjo është protesta e dytë brenda një muaji nga tregtarët e tregut maqedonas në Korçë.
