Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, ka prezantuar prioritetet për reformimin e shërbimit onkologjik në Shqipëri gjatë një konference për shtyp, duke njoftuar disa masa të reja në nivel kombëtar.
Sipas saj, në fokus të reformës është krijimi i Institutit Kombëtar të Kancerit dhe ngritja e Rrjetit Kombëtar të Tumoreve, ndërsa paralelisht do të realizohet edhe një analizë e plotë e situatës aktuale të shërbimit onkologjik në vend.
Ministrja bëri të ditur se brenda këtij viti do të përfundojë rikualifikimi i gjashtë pikave rajonale të shërbimit onkologjik dhe po punohet edhe për përmirësimin e gjashtë pikave të tjera.
“Brenda vitit përfundon rikualifikimi i 6 pikave rajonale dhe po punohet edhe për rikualifikimin e 6 pikave të tjera. Gjithashtu do të instalohet edhe akseleratori i tretë linear në Shërbimin Onkologjik”, deklaroi Sala.
Ajo theksoi se pritet gjithashtu zgjerimi i bashkëpunimit me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike për zhvillimin e shërbimit PET scan.
Ministrja njoftoi gjithashtu një vendim të marrë së fundmi në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, për ngritjen e një qendre të specializuar për trajtimin e kancerit të gjirit, e cila do të ofrojë trajtim multidisiplinar për pacientët.
Sipas saj, viti 2026 shënon fillimin e një reforme të gjerë në sistemin spitalor shqiptar, ku do të ngrihet një grup pune multisektorial me ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë për hartimin e Planit Kombëtar Spitalor.
Ky plan do të përfshijë analizën e performancës së sistemit spitalor, kapacitetet reale, shpërndarjen gjeografike të shërbimeve dhe nevojat demografike të vendit, me synimin për të përmirësuar cilësinë e shërbimit shëndetësor për qytetarët.
