Propozimi i përbashkët i kryeministrit Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç për një formë të re integrimi të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian ka ngjallur debate dhe kritika në skenën politike.
Plani parashikon përfshirjen e vendeve të rajonit në tregun e përbashkët europian dhe në hapësirën Schengen, por pa anëtarësim të plotë dhe pa të drejta të plota politike në strukturat e BE-së.
I ftuar në një studio televizive, ish-deputeti i Partisë Demokratike, Genc Pollo, u shpreh se fakti që kjo nismë vjen nga dy liderë të vendeve që, sipas tij, kanë bërë hapa pas në standardet demokratike, është problematik.
Sipas Pollos, kjo nismë mund të shihet si një përpjekje për të anashkaluar kushtet e vështira politike që kërkon anëtarësimi i plotë në Bashkimin Europian.
Ai argumentoi se një model i tillë do t’u jepte vendeve të rajonit përfitimet ekonomike të tregut të përbashkët pa detyrimin për të ndërmarrë reforma të thella demokratike dhe institucionale.
“Përfitohen avantazhet ekonomike të integrimit, por pa koston politike të reformave. Në këtë mënyrë liderët mund të ruajnë sistemet e tyre politike pa ndryshime reale në standardet demokratike”, u shpreh Pollo.
Ish-deputeti theksoi gjithashtu se pritshmëritë për një reagim pozitiv nga Bashkimi Europian janë të ulëta, duke nënvizuar se disa nga vendet kryesore anëtare, si Gjermania dhe Franca, mbeten skeptike për zgjerimin në rajon për shkak të problemeve me sundimin e ligjit dhe funksionimin e demokracisë.
Sipas tij, vendimmarrja për zgjerimin nuk varet vetëm nga Komisioni Europian, por kryesisht nga qeveritë dhe parlamentet e vendeve anëtare, të cilat kanë qëndrime më të rezervuara.
Pollo shtoi se një model integrimi i pjesshëm mund të krijojë rrezikun e legjitimimit të sistemeve politike që nuk përmbushin standardet e kërkuara nga Bashkimi Europian, duke e shndërruar procesin e integrimit më shumë në një kompromis ekonomik sesa në një projekt politik të bazuar mbi vlera dhe parime demokratike.
