Si ka qenë ecuria e ekonomisë në tri dekadat e fundit, sipas “ngjyrave” të partive që kanë qeverisur. Kush e ka fituar garën për pagat, pensionet, investimet. Ndërsa secila palë politike mund të “deklarojë” fitoren, humbësit më të mëdhenj kanë qenë shqiptarët, që edhe sot janë jo vetëm të fundit në rajon, me paga 30% më të ulëta, por dhe ndër më të varfrit e Europës dhe ende 35 vjet pas shpalljes së demokracisë po e kërkojnë zgjidhjen tek emigrimi, që është rekord në botë, në raport me popullsinë. Fasadat që lartësohen çdo ditë nuk e fshehin faktin që modeli ekonomik i tranzicionit ka shtuar pabarazinë, ka favorizuar korrupsionin, nuk ka mundësuar tërheqjen e investimeve me vlerë të shtuar dhe ka “zhvlerësuar” kapitalin human. Me aq para sa janë derdhur në vend nga qeveria dhe privatët, Shqipëria sot mund të kishte qenë shumë më ndryshe.
Pagë minimale 500 euro/muaj, pagë mesatare mbi 1000 euro/muaj, dyfishim pensionesh etj., janë baza e programeve të partive politike, që do të kërkojnë votën e elektoratit në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Ende pas 35 vitesh tranzicion, ata po e bazojnë fushatën në premtime, që në fund të fundit garantojnë jetesën minimale të një individi, apo pensionisti, dhe as që duhet të viheshin në diskutim sot!
Partia Socialiste është në pushtet që prej vitit 2013 dhe synon për një mandat të katërt radhazi, teksa dhe më parë ka qenë në fuqi nga 1997-a në 2009-n.
Partia Demokratike ka qeverisur vendin në 2005-2013, ndërsa më herët ishte forca që udhëhoqi në fillim të viteve ’90 në kalimin nga ekonomia e centralizuar në atë të tregut. Partitë e vogla nuk kanë arritur të gjejnë terren, duke u bërë shpesh një elektron i lirë që kalon majtas apo djathtas, pa qenë faktorë vendimtarë në qeverisje.
