Policia e Shtetit pritet të intensifikojë kontrollet ndaj drejtuesve të automjeteve që qarkullojnë nën efektin e alkoolit gjatë tre viteve të ardhshme.
Për këtë qëllim, Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka hapur një procedurë tenderimi për furnizimin me aksesorë për aparatet alkool-testues të përdorura nga Policia Rrugore për vitet 2026, 2027 dhe 2028.
Sipas dokumenteve të tenderit, fondi limit është 26.9 milionë lekë pa TVSH, ose rreth 280 mijë euro.
Tenderi parashikon blerjen e 279 mijë e 39 gojëzave plastike njëpërdorimshe për aparatet alkool-testuese “Drager 7510”, të cilat përdoren për matjen e nivelit të alkoolit te drejtuesit e mjeteve gjatë kontrolleve rrugore.
Sipas planit të shpërndarjes:
- gjatë vitit 2026 do të furnizohen mbi 69 mijë gojëza;
- në vitin 2027 rreth 100 mijë;
- ndërsa në vitin 2028 mbi 110 mijë pajisje.
Autoritetet deklarojnë se qëllimi i këtij investimi është rritja e sigurisë rrugore dhe ulja e aksidenteve të shkaktuara nga drejtimi i automjeteve nën efektin e alkoolit.
Policia Rrugore e ka konsideruar luftën ndaj drejtimit në gjendje të dehur si një nga prioritetet kryesore në kontrollet e saj në akset kombëtare dhe urbane.
