Pas afro dy vitesh proces gjyqësor në Gjykatën e Lezhës, Prokuroria ka paraqitur pretencën për shtetasin portugez Ruben Saraiva, i akuzuar si autor i vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj.
Në seancën e zhvilluar dje, e cila zgjati rreth një orë, organi i akuzës kërkoi dënimin me burgim të përjetshëm për të pandehurin. Sipas Prokurorisë, Saraiva është përgjegjës për ekzekutimin e ndodhur në prill të vitit 2023 në Shëngjin, një ngjarje që shkaktoi reagim të gjerë publik.
Referuar dosjes hetimore, ndaj tij rëndojnë akuzat për veprat penale “Vrasje e kryer për interes ose hakmarrje” si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Krimi ndodhi brenda ambienteve të një lokali në Shëngjin, ku Ardian Nikulaj u qëllua për vdekje. Sipas akuzës, vrasja ka qenë e organizuar dhe e planifikuar, ndërsa roli i Saraivës konsiderohet thelbësor në realizimin e saj.
Sipas hetimeve, porositësi dhe organizatori i atentatit dyshohet të jetë Edmond Haxhia, i cili, sipas policisë, ka vepruar për motive hakmarrjeje për vrasjen e dajave të tij, Elton dhe Klodian Lekstakaj. Megjithatë, për këta të fundit, burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se nuk ka ende prova që t’i përfshijnë drejtpërdrejt në ekzekutimin e Nikulajt.
Ruben Saraiva dyshohet se ishte ekzekutori i planit, personi që u shfaq me motor dhe jelek fosforeshent dhe qëlloi biznesmenin me shtatë plumba. Ndërkohë, katër shtetas britanikë dyshohet se kishin rolin e vëzhguesve dhe mbledhjes së informacionit për lëvizjet e viktimës.
Saraiva mbërriti në zonën e Lezhës më 14 shkurt 2023, duke u paraqitur si turist dhe duke qëndruar në banesën e Edmond Haxhias në Kakarriq. Ndërkohë, shtetasit britanikë kishin hyrë në Shqipëri në periudha të ndryshme, gjithashtu të kamufluar si turistë.
Njëri prej tyre, Steven Hunt, kishte qëndruar për disa ditë edhe në hotelin “Coral”, në pronësi të Nikulajt, ku dyshohet se ka arritur të depërtojë edhe në sistemin e kamerave të sigurisë për të monitoruar lëvizjet e biznesmenit.
Pas ngjarjes, Saraiva u arratis nga Shqipëria përmes Greqisë dhe u arrestua 19 ditë më vonë në Rabat të Marokut. Gjatë arrestimit ai nuk kishte dokumente identifikimi me vete dhe dyshohet se kishte përdorur dokumente false për t’u larguar nga vendi.
Shtetasi portugez u ekstradua drejt Shqipërisë më 31 dhjetor 2023, ndërsa vendimi i gjykatës për këtë çështje pritet të shpallet në vijim.
